

Si të shkruajmë një temë diplome pa plagjiaturë?
Çdo përdorim dhe paraqitje e mendimeve të të tjerëve si tonat është plagjiaturë. Kushti i parë kur shkruajmë një punim diplome apo çfarëdo punimi tjetër shkencor e akademik, është të kuptojmë se çka është plagjiatura dhe ta shmangim atë plotësisht.
Nëse e shmangim plagjiaturën, kjo nuk do të thotë se ne duhet të shpikim teori, mirëpo duhet të bazohemi në gjetjet e shkencëtarëve dhe autorëve të asaj fushe, gjithmonë duke e pasuar mendimin tonë, pajtueshmërinë ose mospajtueshmërinë mbi një tezë të caktuar që e kemi para vetes.
Veç kësaj, çdo përdorim i teorive të shkencëtarëve që ne vendosim t’i marrim për bazë kur shkruajmë nje temë diplome, ose bëjmë një kërkim për një fushë të caktuar, medoemos duhet cituar apo parafrazuar autorin nga e marrim atë teori, fjali, të dhënë etj.


Kur jemi te parafrazimi, ajo është forma më e mirë e shmangies nga plagjiatura dhe ju lejon të përdoni mendimet tuaja brenda një fjalie të parafrazuar nga ndonjë autor. Pra, shprehja e ndonjë ideje duke parafrazuar, ju lejon të komentoni brenda asaj fjalie mendimet tuaja. Mundohuni të parafrazoni para se të citoni. Citimi le të mbetet opsioni i vetëm, kur nuk kemi mundësi ose e kemi të pamundur të parafrazojmë. Kështu mund të qëndroni brenda 20 përqindëshit të citimit.
Para se të filloni të shkruani temën, duhet të bëni një listë specifike me titujt e librave, revistave dhe burimeve, ku do të bazoheni në punimin tuaj. Para se të filloni të shkruani dhe keni gjetur literaturën e mjatueshme, këshillohet të lexoni literaturën dhe gjatë leximit të mbani shënime se cilat pjesë do të donit t’i përdornit për nevojat e punimit tuaj.
Mbajeni mend, nëse sot do të arrini të diplomoheni me një punim plagjiat, gjithmonë ekziston rreziku që nesër do të mund t’u revokohet titulli dhe do të keni sanksione shtesë, andaj kujdes. Punën e tjetrit mos e paraqisni si tuajën!
