#ThuajJoPlagjiaturës #1

Plagjiatura, shkelje etike, ligjore, apo profesionale?

 

Besart Kunushevci
Themelues @ Akademia (www.akademia.al)
Themelues @ Crossplag™ (www.crossplag.com)

Vërejtje: Ky shkrim është publikuar fillimisht në Revistën “Autori”, Botimi VI, Dhjetor 2020 – http://autori-ks.com/repository/docs/Web_RevistaAutori_2020.pdf

 

Plagjiatura, origjina dhe definicioni

Termi plagjiaturë është përdorur shpeshherë në diskutime publike si në Kosovë, Shqipëri dhe Maqedoni të Veriut, por ajo që vlen të theksohet është se veçanërisht viteve të fundit diskutimi rreth plagjiaturës është intensifikuar. Diskutimi rreth plagjiaturës dhe akteve të plagjiaturës është bërë pjesë e shoqërisë që nga fillimet e krijimit artistik, letrar dhe shkencor[1]. Etimologjia e fjalës “Plagjiaturë” e ka origjinën që në shekullin e parë kur poeti romak Marcus Valerius Martialis denoncon poetin Fidentinus që ka “kidnapuar” vargjet e tij. Poeti në atë kohë përdor fjalën “Plagiarius” që nënkupton “kidnapues” për të ilustruar aktin e “vjedhjes” dhe “kopjimit” të vargjeve të tij nga poeti Fidentinus[2]. Ndërsa sot, është jashtëzakonisht vështirë që të përcaktohet termi plagjiaturë duke përfshirë të gjitha situatat e mundshme. Përkufizimi më i pranueshëm për plagjiaturën në literaturën ekzistuese është: “procesi ose praktika e përdorimit të fjalëve dhe ideve të dikujt tjetër dhe pretendimi se janë autentike tuajat”[3].

Plagjiatura dhe Interneti

Kur flasim për plagjiaturë është e pashmangshme të mos flasim për ndërlidhjen mes rritjes së përdorimit të internetit dhe plagjiaturës në nivel global. Konkretisht, Rebeca Howard[4] në vitin 2007 thotë se është një besim pothuajse universal që interneti është duke shkaktuar rritje të plagjiaturës. Për të mbështetur këtë argument mund të shohim statistikat botërore rreth përdorimit të internetit, ku në muajin dhjetor të vitit 1995 në internet kanë qenë 16 milion përdorues, ndërsa sot janë mbi 4.8 miliard përdorues[5]. Secili prej nesh që jemi përdorues të internetit, së bashku, krijojmë mbi 2.5 milion terrabytes të dhëna në ditë. Nëse e shohim nga aspekti akademik dhe shkencor, nga viti 2008 deri në vitin 2014 janë publikuar rreth 1.3 milion artikuj shkencor[6] dhe rreth 2.2 milion libra në vit[7]. Bazuar në këto të dhëna është pothuajse e pamundur për njeriun që të bëjë identifikimin e rasteve me plagjiaturë pa ndihmën e teknologjisë; gjë që ka ndikuar të zhvillohen më shumë se 15 kompani serioze në gjithë botën të cilat qëllim kanë identifikimin e plagjiaturës në shkrime[8]. Në anën tjetër, shumë kush mund të shtrojë pyetjen se pse plagjiatura konsiderohet si akt apo dukuri negative? Për të zbërthyer aspektin e trajtimit të plagjiaturës si akt negativ është tejet me rëndësi që të kuptojmë se plagjiatura trajtohet në tri forma të shkeljes; shkelje etike, shkelje ligjore dhe shkelje e rregullave profesionale.

Plagjiatura si shkelje etike

Para se të diskutojmë rreth plagjiaturës si shkelje ligjore dhe shkelje e normave profesionale, për mua është shumë më e rëndësishme që plagjiatura fillimisht të kuptohet dhe trajtohet si shkelje etike në këtë shkrim. Trajtimi i plagjiaturës si shkelje etike dhe penalizimi i saj nga ky këndvështrim sjellë më shumë vlerë dhe rrit rëndësinë e parandalimit të plagjiaturës për shoqërinë tonë.

Trajtimi i plagjiaturës si shkelje etike nënkupton ballafaqim ndaj këtij akti negativ fillimisht me veten tonë dhe vlerat që ne përfaqësojmë. Rrjedhimisht, nëse marrim skenarin hipotetik ku ne si hulumtues/e apo shkrimtar/e huazojmë fragmente, ide dhe vepra të dikujt tjetër dhe i prezantojmë ato si punë autentike, kjo shpërfaq mungesën e respektit tonë ndaj punës, kohës dhe vlerave që autori/ja origjinale përfaqëson. Në aspektin individual, kjo nënkupton se ne nuk kemi respekt as për punën, kohën dhe vlerat që ne përfaqësojmë. Vlenë të theksohet se në kohën në të cilën jetojmë plagjiatura shpesh vjen si rezultat i konkurrencës, rritjes së nivelit të kompleksitetit për të prodhuar njohuri të reja dhe vështirësia e identifikimit të këtyre shkeljeve. Këta faktorë ndikojnë drejtpërdrejtë që individë të ndryshëm të bëjnë plagjiaturë. Ndërsa në anën tjetër, sot njerëzimi e ka për detyrë dhe obligim që të punojë, krijojë dhe zhvillojë njohuri të reja për kohën në të cilën jetojmë. Kjo ka ndikuar që shumë vende në botë (përfshirë Kosovën) të përfshijnë plagjiaturën brenda ligjeve.

Plagjiatura si shkelje ligjore

Diskutimi rreth përcaktimit  të plagjiaturës si shkelje ligjore është gjithandej nëpër botë, sidomos nga ekspertët ligjorë mbi të drejtat e autorit dhe të drejtave të përafërta. Deri më tani integrimi i termit plagjiaturë në legjislacion nuk ka qenë i qartë dhe efektiv pasi shumë hulumtues dhe ekspertë ligjorë kanë argumentuar se jo çdo plagjiaturë përbën shkelje të të drejtave të autorit dhe jo çdo shkelje e të drejtave të autorit përbën plagjiaturë. Për të ilustruar këtë, imagjinoni një student apo hulumtues i cili huazon disa paragrafe nga një publikim i cili nuk gëzon mbrojtje autoriale apo intelektuale dhe i njejti student apo hulumtues i prezanton ato paragrafe si punë origjinale të tij/saj pa i cituar fare. Ky rast përbën plagjiaturë, por nuk konsiderohet shkelje e të drejtave të autorit. Ndërsa, në një situatë kur një autor i cili riprodhon tërësisht apo pjesë të një vepre (duke e cituar atë) e cila gëzon të drejtat specifike autoriale dhe e publikon atë pa autorizim, nuk përbën plagjiaturë, por është shkelje e të drejtave autoriale.

 

Në këtë frymë, të marrim të analizojmë legjislacionin në fuqi në Republikën e Kosovës për të parë se cilat janë pjesët e ligjit të cilat përfshijnë komponente të plagjiaturës.

KODI NR. 06/L-074 KODI PENAL I REPUBLIKËS SË KOSOVËS[9]
KAPITULLI XXV VEPRAT PENALE KUNDËR EKONOMISË
Neni 290
Cenimi i të drejtave të autorit

  1. Kushdo që nën emrin e tij apo të dikujt tjetër, shfaq apo në ndonjë mënyrë tjetër i kumton publikut punën e mbrojtur me të drejtat e autorit ose paraqitjen e tjetrit, në tërësi apo pjesërisht,dënohet me gjobë dhe me burgim prej tre (3) muaj deri në tre (3) vjet.

LIGJI Nr. 04/L-065 PËR TË DREJTAT E AUTORIT DHE TË DREJTAT E PËRAFËRTA[10]

NËNKREU B
VEPRAT E AUTORIT DHE KUSHTET E MBROJTJES

Neni 8
Veprat e mbrojtura

  1. Vepra të autorit janë krijimet intelektuale origjinale në lëmin e letërsisë, të shkencës dhe artit, që janë të shprehura në çfarëdo mënyre, nëse me këtë ligj nuk parashihet ndryshe.

Praktikisht këto janë 2 prej neneve më të rëndësishme brenda legjislacionit në Republikën e Kosovës të cilat përfshijnë raste të plagjiaturës të cilat janë të dënueshme me ligj. Nga kjo mund të kuptojmë një fakt tejet me rëndësi, pothuajse të gjitha shkrimet apo publikimet që ndodhin sot gëzojnë të drejtën ligjore për mbrojtje në momentin që ato publikohen. Gjithsesi, rastet kur plagjiatura përbën shkelje ligjore  ekziston baza ligjore penale që të ngritet aktakuzë dhe të dënohet nga gjykata, si dhe baza ligjore civile që individi që ka kryer plagjiaturë të paditet nga autori duke kërkuar realizimin e të drejtës subjektive dhe kompensimin e dëmit. Deri më sot, nuk mund të gjejmë asnjë rast ku gjykatat të kenë vendosur dënime penale apo detyrime për kompensim për personat që kanë kryer plagjiaturë.

Plagjiatura si shkelje e rregullave profesionale

Në anën tjetër përpos trajtimit të plagjiaturës si shkelje etike dhe trajtimi i plagjiaturës nga aspekti ligjor është me rëndësi të diskutohet edhe në aspektin e reputacionit individual dhe profesional. Në mes ekstremit ku çdo gjë varet nga etika dhe morali i individit dhe legjislacionit që përcakton saktë çfarë nënkupton shkelje, ekziston një mes i cili rregullon aspektet tejet të rëndësishme në jetën tonë, atë akademik dhe profesional. Sot, secili universitet publik ka të miratuar “Statutin e Universitetit” nga Kuvendi i Republikës. Statuti i Universitetit si akt normativ ka për qëllim të kodifikojë rregullat për funksionimin e brendshëm të Universitetit duke mos cenuar autonominë e tij. Rrjedhimisht, në statutet ekzistuese të universiteteve publike përfshihet plagjiatura dhe shkelja e së drejtës së autorit si shkelje të cilat penalizojnë individët që i përkasin atij Universiteti qoftë si i/e punësuar, student apo bartës i titullit akademik. Saktësisht në Statutin e Universitetit të Prishtinës plagjiatura përmendet në këto raste:

STATUTI I UNIVERSITETIT TË PRISHTINËS “HASAN PRISHTINA”[11]
STUDIMET E DOKTORATËS
Neni 130
  1. Titulli akademik Doktor shkence mund të revokohet në rast të dëshmisë se:
    1.1 Disertacioni nuk ka qenë punim i vetë kandidatit;
    1.2 Disertacioni nuk ka qenë si rezultat i arritjes personale të kandidatit;
    1.3 Disertacioni është i bazuar në pjesët relevante të rezultateve të mëparshme të botuara shkencore nga individët apo nga institucionet tjera;
    1.4 Është plagjiat apo shkelje e të drejtës së autorit;
    1.5 Është praktikë tjetër joetike
TITUJT AKADEMIKË
Neni 134
  1. Senati me arsye dhe me argumente të forta dhe me rekomandim të rektorit, mund t’ia heqë titullin bartësit.
  2. Arsyeja dhe argumenti i fortë përmban:
    2.1 Falsifikimin apo mashtrimin gjatë vlerësimit ose provimit;
    2.2 Plagjiaturën apo shkeljen e të drejtës së autorit në përgatitjen e diplomës apo të punimit tjetër me shkrim;
    2.3 Praktikë tjetër joetike.

Bazuar në Statutin e cituar më lart mund të vërehet se brenda një fjalie ku përmendet plagjiatura, Statuti i referohet edhe shkeljeve të së drejtave të autorit gjë që nuk lë hapësirë mes shkeljes etike dhe ligjore, por e përcakton atë në formë të saktë dhe të prerë.

Përfundimet

Ballafaqimi i njerëzimit me dukurinë e plagjiaturës është i lashtë sa ka vjet njeriu; duke filluar nga rastet e para të dokumentuara qysh në shekullin e I-rë nga poeti Martial e deri sot kur kemi rastin më të fundit skandaloz të novelistes Cristian Serruya në librin e saj “Royal Affair”[12]. Teknologjia dhe interneti kanë luajtur rol të rëndësishëm në rritjet e rasteve të plagjiaturës dhe në të njëjtën kohë përdorimi i teknologjisë për parandalimin e plagjiaturës ende nuk ka gjetur rrugën drejtë përdorimit të përgjithshëm. Ndërsa nëse e shohim se si trajtohet plagjiatura në aspektin etik, ligjor dhe normativ mund të arrijmë në përfundim që është jashtëzakonisht e rëndësishme që të punohet në drejtimin e rritjes së vetëdijes kolektive mbi aspektin negativ të plagjiaturës për shoqërinë tonë. Gjithashtu, është tejet e rëndësishme që integriteti akademik dhe profesional të respektohen duke filluar nga udhëheqësit tanë. Vlenë të theksohet se tema e plagjiaturës në rajon është temë mjaft e ndjeshme dhe ka nevojë të jashtëzakonshme që njohës të fushës, ekspertë të arsimit dhe ligjit, së bashku me ligj-bërësit të punojnë më shumë drejt krijimit të një mjedisi që lartëson vlerat etike dhe mbron integritetin e veprave dhe shkrimeve në nivel nacional.

 


Referencat
[1] Bailey, J. (2011). The World’s First “Plagiarism” Case. Retrieved from https://www.plagiarismtoday.com/2011/10/04/the-world%E2%80%99s-first-plagiarism-case/
[2] Biagioli, M. (2014). Plagiarism, Kinship and Slavery. Theory, Culture & Society, 31(2-3), 65-91. doi: 10.1177/0263276413516372. https://journals.sagepub.com/doi/10.1177/0263276413516372
[3] PLAGIARISM | meaning in the Cambridge English Dictionary. (2020). Retrieved from https://dictionary.cambridge.org/dictionary/english/plagiarism
[4] Howard, R. (2007). Understanding “Internet plagiarism”. Computers And Composition, 24(1), 3-15. doi: 10.1016/j.compcom.2006.12.005. https://www.sciencedirect.com/science/article/abs/pii/S8755461506000831?via%3Dihub
[5] World Internet Users Statistics and 2020 World Population Stats. (2020). Retrieved from https://www.internetworldstats.com/stats.htm
[6] Facts and figures: publications. (2020). Retrieved from https://en.unesco.org/node/252282
[7] Book Statistics – Worldometer. Retrieved from https://www.worldometers.info/books/
[8] Softwaretest 2020 « Plagiats Portal. (2020). Retrieved from https://plagiat.htw-berlin.de/software/softwaretest-2020
[9] Kuvendi i Republikës së Kosovës. KODI NR. 06/L-074 KODI PENAL I REPUBLIKËS SË KOSOVËS (2018). Kosovë. https://gzk.rks-gov.net/ActDocumentDetail.aspx?ActID=18413https://www.internetworldstats.com/stats.htm
[10] Kuvendi i Republikës së Kosovës. LIGJI Nr. 04/L-065 PËR TË DREJTAT E AUTORIT DHE TË DREJTAT E PËRAFËRTA (2011). Prishtinë. https://gzk.rks-gov.net/ActDocumentDetail.aspx?ActID=2787
[11] Kuvendi i Republikës së Kosovës. STATUTI I UNIVERSITETIT TË PRISHTINËS “HASAN PRISHTINA” (2012). https://www.uni-pr.edu/inc/doc/statuti1.pdf
[12] Nora Roberts Sues Brazilian Writer Who She Says Plagiarized Her Work. (2019). Retrieved from https://www.nytimes.com/2019/04/24/books/nora-roberts-plagiarism.html