Plagjiatura përmes diplomave të blera

 

“Punimi i temave të diplomës. Kontakto dhe bëhu i diplomuar”– kjo është veç një nga ‘reklamat’ në një faqe interneti, në të cilën ofrohen punime diplome me pagesë. Punimi i diplomës, që përfaqëson nivelin dhe aftësitë akademike të një studenti, vazhdon të shitet online sikur të ishte një produkt  zakonshëm…

Një hulumtim nga Preportr, i titulluar “Pazari me tema të diplomës” vuri në pah këtë dukuri shqetësuese që ende po vazhdon të jetë e pranishme. Për të përmbushur detyrat akademike, disa studentë kanë zgjedhur mënyrën më të lehtë: blerjen e diplomave. E për këtë po kujdesen individë të ndryshëm që merren me këtë ‘biznes’. Mjafton të kërkoni me fjalët “punime diplome” apo “tema diplome” dhe shumë shpejt do t’ju shfaqen faqe apo platforma online që merren me shitjen e diplomave. Sipas hulumtimit, del se çmimet për punime diplomash fillojnë nga 200 deri në 300 euro, varësisht edhe prej nivelit të studimeve për të cilin kërkohet. Madje, ky lloj shërbimi vazhdon të ofrohet pa u penguar dhe pa u ndëshkuar.

“Të gjithë individët që shesin tema që ka kontaktuar Preportr, kanë thënë se nuk ka ndodhur ndonjëherë që punimet e tyre të kthehen prapa ose të dyshohen për plagjiaturë. Pavarësisht që aktiviteti i tyre është i njohur, këta persona po e zhvillojnë atë pa u penguar nga askush. Kjo edhe për faktin se shumica e profesorëve në Universitetin e Prishtinës mentorojnë shumë tema të diplomës brenda vitit, gjë që e bënë thuajse të pamundur të verifikohen mirë ato. Asnjë profesor deri më tani nuk e ka denoncuar në rektorat ndonjë temë diplome për plagjiaturë”, thuhet në hulumtim.

 

Lexo poashtu: Si të shkruajmë një temë diplome pa plagjiaturë?

 

Pavarësisht kësaj, kjo dukuri vazhdon të lulëzojë dhe  madje, për ironi, ata që merren me këtë “biznes” e promovojnë edhe si “përmbyllje me sukses e detyrimeve akademike”.

Si ta shmangni?

Plagjiatura është përvetësim i punës a ideve të dikujt tjetër, është mashtrim akademik. Si e tillë, duhet të shmanget dhe të ndëshkohet. Mbase në disa raste është vështirë të identifikohet, por nuk është e pamundur, sidomos nëse përdorni mjetet e duhura.

Pse është i nevojshëm sistemi Anti-Plagjiaturë?

Në hulumtimin e Preportr, një nga shitësit e diplomave ka deklaruar se ka pasur raste kur të njëjtën temë me disa ndryshime të vogla e ka bërë 3-4 herë tek i njëjti profesor, brenda një viti. Në anën tjetër, të dhënat treguan raste kur një profesor i vetëm ka monitoruar 143 tema të diplomës për 2 vjet e 5 muaj. Prandaj, kjo është një arsye më shumë pse përdorimi i sistemit anti-plagjiaturë është mëse i nevojshëm nëpër institucione arsimore – ju ofron saktësi dhe ju kursen kohë. Përdorimi i sistemit anti-plagjiaturë për t’i krahasuar dokumentet për ngjashmëri, është metoda më efektive për parandalimin e plagjiaturës. Raporti i ngjashmërisë ju kursen 99% të kohës për të gjetur rastet me plagjiaturë.

Përmes produkteve që ofron Akademia, ju mund t’i identifikoni ngjashmëritë mes teksteve në gjuhën shqipe si dhe mes teksteve në gjuhën shqipe dhe gjuhë të huaja. Po ashtu, ju mundëson ta shmangni plagjiaturën dhe ta pasuroni punimin tuaj, duke përdorur e-citimin.