#ThuajJoPlagjiaturës #2

Pasqyrë e përgjithshme mbi nivelin e plagjiaturës në hapësirat shqipfolëse me theks të veçantë në Kosovë dhe Shqipëri

Besart Kunushevci
Platforma Akademia | Crossplag™

Hyrje

 

Sot, me të drejtë, qytetarët e Kosovës, Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut janë skeptik rreth nivelit të cilësisë që ofrohet nga Institucionet e Arsimit të Lartë (IAL) në vendet e tyre. Një ndër faktorët kryesorë që ka ndërtuar këtë perceptim të tyre është plagjiatura e denoncuar publikisht ndaj zyrtarëve të lartë që bartin tituj përbrenda nivelit akademik të këtyre institucioneve.

Përderisa anëtarë dhe organizata të shoqërisë civile kanë ngritur gjysmë akuza, akuza të plota e të dokumentuara mbi profesorët, intelektualët dhe politikanët për kryerjen e plagjiaturës gjatë ngritjes në karrierë, numri i zyrtarëve që ka dhënë dorëheqje si pasojë e kësaj është jashtëzakonisht i ulët, me vetëm dorëheqjen e zëvendësministrit të Arsimit, Rinisë dhe Sportit në Republikën e Shqipërisë, z. Ervin Demo.

Plagjiatura si dukuri ndoshta nuk hyn në rendin e problemeve të thella që kemi si shoqëri, por megjithatë qëndron mbi sipërfaqe si diçka tejet e rëndësishme që kërkon vëmendjen e gjithsecilit pasiqë në pikëpyetje është vënë sistemi arsimor që ka prekur dhe vazhdon të prekë gjenerata të tjera vijuese nëpër këto institucione.

Përmes këtij shkrimi, ne do të mundohemi të ofrojmë të dhëna dhe informacione të detajuara e të sakta mbi nivelin e plagjiaturës bazuar në hulumtimet tona të brendshme dhe raportimet që janë bërë nga jashtë, për ta paraqitur në fund një skemë të efekteve negative që sjellë gjendja aktuale në këtë sektor në shoqërinë tonë.

Qëllimi ynë është të tregojmë se sa problematike është çështja e plagjiaturës duke ofruar një pasqyrë të përgjithshme të hulumtimeve të brendshme që ne si Platforma Akademia kemi realizuar.

Andaj, përmes këtij shkrimi do të provojmë t’i përgjigjemi një pyetje që shumë shpesh na bëhet:

Cili është niveli i plagjiaturës në Kosovë, Shqipëri dhe Maqedoni të Veriut?

Metodologjia

Që nga viti 2018 kemi filluar t’i ngarkojmë përbrenda sistemit tonë të gjitha punimet e diplomës që kanë qenë publikisht të qasshme nga niveli Bachelor e Master, deri te ai për Doktoraturë.

Kontrollimi i këtyre punimeve është realizuar në dy aspekte:

1. Kontrollimin e punimeve të përzgjedhura krahas literaturës elektronike në gjuhën shqipe.

      • ALPLAG
        Çdo dokument i ngarkuar është kontrolluar me më shumë se 60 milionë shkrime nga faqe të ndryshme të internetit dhe me mbi 400 mijë dokumente të publikuara nga faqet e ndryshme shqiptare.

2. Kontrollimin e punimeve të përzgjedhura krahas literaturës elektronike në gjuhën angleze.

      • MLPlag
        Çdo dokument i ngarkuar është kontrolluar me më shumë se 17 miliard shkrime dhe dokumente nga faqet e ndryshme të interneti dhe me mbi 500 milion publikime shkencore dhe akademike në të cilat kemi pasur qasje.

Kohëzgjatja e këtij hulumtimi është varur nga të hyrat e siguruara përgjatë kësaj kohe. Aspekti financiar ka qenë i nevojshëm pasiqë kontrollimi i punimeve të tilla që përmbajnë dhjetëra mijëra fjalë në dy kontrolle të ndryshëm është i kushtueshëm për një kompani të vogël siç jemi ne. Gjithashtu, duke qenë të kontraktuar nga Republika e Shqipërisë të ofrojmë shërbimet tona për IAL-të publike në Shqipëri ka qenë e rëndësishme ta vlerësojmë procesin e këtij pilotimi.

Rrjedhimisht, ne jemi munduar që përmes hulumtimeve tona të tregojmë rëndësinë e përdorimit më të madh të sistemit antiplagjiaturë pasiqë ka pasur IAL të cilat kanë zgjedhur të mos e përdorin fare sistemin antiplagjiaturë në Shqipëri, një prej institucioneve më të rëndësishme që ka zgjedhur të mos përdor sistemin antiplagjiaturë është Universiteti i Tiranës.

Procesi i kontrollimit të punimeve ka qenë relativisht i thjeshtë, jemi fokusuar në dy universitetet më të mëdha dhe më të rëndësishme: Universitetin e Prishtinës (Kosovë) dhe Universitetin e Tiranës (Shqipëri).

Gjithsesi, ne kemi hulumtuar të gjejmë sa më shumë punime të publikuara edhe në faqet e Universiteteve të tjera publike, përfshi edhe IAL-të private, kur kjo ka qenë e mundshme.

Sa i përket Maqedonisë së Veriut, kemi zgjedhur t’ju prezantojmë rastet e raportuara nga Nisma Intelektuale për Rritjen e Cilësisë në Arsim (NIRCAU) pasiqë raporti i tyre ka qenë mjaftë i detajuar dhe ofron informata konkrete në atë drejtim. Në këtë shkrim përveç rasteve të raportuara nga NIRCAU, kemi vendosur ta rivëmë theksin te rastet e publikuara edhe nga Admovere, ORCA, Taulant Muka dhe Vladimir Kola.

Të gjitha punimet e kontrolluara, i kemi kategorizuar sipas rezultateve në:

      • Punime me nivel të lartë të ngjashmërisë (20.00% – 100.00%)
      • Punime me nivel mesatarë të ngjashmërisë (5.00% – 19.99%)
      • Punime me nivel të ulët të ngjashmërisë (0.00% – 4.99%)

Vlen të përmendet që rezultatet e nxjerra nga sistemi antiplagjiaturë i Platformës Akademia ofrojnë të dhëna rreth ngjashmërisë që përdoren për ta bërë gjykimin përfundimtarë nëse një shkrim përmban plagjiaturë apo jo, pjesa tjetër më pas u takon universiteteve dhe institucioneve që dhurojnë dhe revokojnë tituj akademik.

Rezultatet

 

Republika e Kosovës

Universiteti i Prishtinës – Punimet e diplomës së studentëve

Në vitin 2018, brenda faqes zyrtare të Universitetit të Prishtinës kanë qenë të publikuara 350 punime diplome të studentëve, prej të cilave kemi kontrolluar 317 punime të diplomës në nivelet Bachelor dhe Master. Në nivelin e Doktoraturës kanë qenë të publikuara vetëm 6 abstrakte nga fakulteti ekonomik.

Rrjedhimisht, ne kemi kontrolluar gjithsej 317 punime të diplomës dhe 6 abstrakte të doktoraturave.

Punimet e diplomës së studentëve janë marrë nga 6 fakultete të ndryshme:

      • Fakulteti Ekonomik (Bachelor – 14, Master – 27, PhD – 6)
      • Fakulteti i Inxhinierisë Elektrike dhe Kompjuterike (Master – 16)
      • Fakulteti Filozofik (Bachelor – 1, Master – 36)
      • Fakulteti i Inxhinierisë Mekanike (Bachelor – 102, Master – 56)
      • Fakulteti i Edukimit (Master – 14)
      • Fakulteti i Edukimit Fizik dhe i Sportit (Master – 49)

Bazuar në 321 punimet e kontrolluara, rezultati më i lartë i ngjashmërisë është raportuar në nivelin 75.96%.

Rezultatet sipas nivelit të studimit

Bachelor

Pjesë e këtij hulumtimi kanë qenë 117 punime të diplomës në nivelin bachelor, prej të cilave 38% (45) punime kanë rezultuar të përmbajnë ngjashmëri të lartë, 37%(43) kanë rezultuar të përmbajnë ngjashmëri mesatare, dhe 25%(29) punime kanë rezultuar të kenë ngjashmëri të ulët.

Master

Në nivelin master janë gjetur dhe kontrolluar gjithsej 198 punime, prej të cilave 27% (54) punime kanë rezultuar me ngjashmëri të lartë, 46% (91) punime kanë rezultuar me ngjashmëri mesatare, dhe 27%(53) kanë rezultuar me ngjashmëri të ulët.

Doktoraturë

Në nivelin doktoraturë vlen të theksohet se vetëm 6 abstrakte nga Fakulteti Ekonomik kanë qenë publike dhe të gjitha këto abstrakte kanë rezultuar me ngjashmëri të lartë.

Fakulteti Ekonomik

Prej 47 punimeve të kontrolluara nga Fakulteti Ekonomik mund të shohim se rreth 45% (21 nga 47) e tyre kanë rezultuar me ngjashmëri të lartë, kurse 55% (26 nga 47) kanë rezultuar me ngjashmëri mesatare.

Fakulteti Filozofik

Prej 37 punimeve të kontrolluara nga Fakulteti Filozofik, vetëm 5% (2 nga 37) e tyre kanë rezultuar të përmbajnë ngjashmëri të lartë, kurse 65% (24 nga 37) kanë rezultuar të kenë ngjashmëri mesatare, dhe 30% (11 nga 37) ngjashmëri të ulët.

Fakulteti Edukimit

Prej 14 punimeve të kontrolluara nga Fakulteti i Edukimit, 7% (1 nga 14) kanë rezultuar të përmbajnë ngjashmëri të lartë, 57% (8 nga 14) kanë rezultuar me ngjashmëri mesatare, dhe 36% (5 nga 14) kanë rezultuar me ngjashmëri të ulët.

Fakulteti i Edukimit Fizik dhe i Sportit

Prej 49 punimeve të kontrolluara nga Fakulteti i Edukimit Fizik dhe Sportit, 55% (27 nga 49) punime kanë rezultuar të përmbajnë ngjashmëri të lartë, 45% (22 nga 49) kanë rezultuar të përmbajnë ngjashmëri mesatare, ndërsa asnjë punim nuk ka rezultuar të ketë ngjashmëri të ulët.

Fakulteti i Inxhinierisë Mekanike

Prej 158 punimeve të kontrolluara nga Fakulteti i Inxhinierisë Mekanike, 34% (54 nga 158) punime kanë rezultuar të përmbajnë ngjashmëri të lartë, 34% (53 nga 158) kanë rezultuar të përmbajnë ngjashmëri mesatare, dhe 32% (51 nga 158) kanë rezultuar të kenë ngjashmëri të ulët.

Fakulteti i Inxhinierisë Elektrike dhe Kompjuterike

Prej 16 punimeve të kontrolluara nga Fakulteti i Inxhinierisë Elektrike dhe Kompjuterike, asnjë punim nuk ka rezultuar të ketë ngjashmëri të lartë, 6% (1 nga 16) kanë rezultuar të kenë ngjashmëri mesatare, dhe 94% (15 nga 16) kanë rezultuar të kenë ngjashmëri të ulët.

Përmbledhje

Të dhënat nga kontrollimi i 321 punimeve në nivele të ndryshme të studimit tregojnë se përafërsisht 3 në 4 punime të kontrolluara në nivelin Bachelor dhe Master kanë rezultuar të përmbajnë ngjashmëri që mund të konsiderohen plagjiaturë. Një fakt tjetër shqetësues është në nivelin e Doktoraturës ku edhe pse janë kontrolluar vetëm 6 abstrakte, secila prej tyre ka përmbajtur ngjashmëri të lartë.

Në anën tjetër, bazuar në rezultatet e punimeve të marra nga 6 fakultetet e Universitetit të Prishtinës, me numrin më të lartë të punimeve të dyshimta për plagjiaturë kryeson Fakulteti i Inxhinierisë Mekanike, Fakulteti i Edukimit Fizik dhe Sportit dhe Fakulteti Ekonomik. Vlen të theksohet se për Fakultetin e Inxhinierisë Elektrike dhe Kompjuterike nuk është gjetur asnjë punim me ngjashmëri të lartë dhe vetëm një punim me ngjashmëri mesatare.

Universiteti i Prishtinës – Doktoraturat e stafit akademik

Pas kontrollimit të punimeve të diplomës së studentëve, ne kemi marrë iniciativën t’i kontrollojmë 37 doktoratura të stafit akademik në Universitetin e Prishtinës. Përzgjedhja e këtyre doktoraturave ka qenë rastësore në mesin e doktoraturave të cilat janë publikuar në formatin digjital pasiqë shumica dërrmuese e doktoraturave të publikuara të stafit akademik janë të skanuara dhe nuk është e mundshme të kontrollohen përmes sistemit antiplagjiaturë.

Në mesin e doktoraturave të përzgjedhura janë 27 doktoratura të mbrojtura në 5 fakultete të ndryshme të Universitetit të Prishtinës, dhe 10 të tjera që janë mbrojtur në universitete të tjera jashtë.

      • Fakulteti Ekonomik – 11
      • Fakulteti i Shkencave Matematikore Natyrore – 3
      • Fakulteti Juridik – 4
      • Fakulteti i Inxhinierisë Elektrike dhe Mekanike – 7
      • Fakulteti Filozofik – 2
      • Universitetet tjera – 10

Rezultatet sipas llojit të kontrollit

Në kontrollin ALPlag të 37 doktoraturave të stafit akademik në UP, niveli më i lartë i ngjashmërisë ka rezultuar të jetë 28.81% ndërsa në kontrollin MLPlag kjo vlerë është 29.85%. Në anën tjetër, janë 7 doktoratura në të cilat ka rezultuar ngjashmëri mbi 5% nga një burim i vetëm.

ALPlag

Kontrollimi i doktoraturave të stafit akademik krahas literaturës në gjuhën shqipe sipas klasifikimeve janë 14% (5 nga 37) e doktoraturave kanë rezultuar me ngjashmëri të lartë, 41% (15 nga 37) me ngjashmëri mesatare, dhe 49% (18 nga 37) me ngjashmëri të ulët.

MLPlag

Kontrollimi i doktoraturave të stafit akademik krahas literaturës në gjuhën shqipe sipas klasifikimeve janë, 5% (2 nga 37) kanë rezultuar të përmbajnë ngjashmëri të lartë, 70% (26 nga 37) kanë rezultuar me ngjashmëri mesatare, dhe 24% (9 nga 37) kanë rezultuar me ngjashmëri të ulët.

Rezultatet sipas fakulteteve

Fakulteti Ekonomik
ALPlag

Në kontrollin ALPlag, 9% (1 nga 11) e doktoraturave kanë rezultuar me ngjashmëri të lartë, 64% (7 nga 11) kanë rezultuar me ngjashmëri mesatare dhe 27% (3 nga 11) kanë përmbajtje me ngjashmëri të ulët.

MLPlag

Në kontrollin MLPlag, 9% (1 nga 11) e doktoraturave janë identifikuar që përmbajnë ngjashmëri të lartë, 82% (9 nga 11) kanë ngjashmëri mesatare dhe 9% (1 nga 11) kanë ngjashmëri të ulët.

Fakulteti i Shkencave Matematiko-Natyrore
ALPlag

Në kontrollin ALPlag, të gjitha doktoraturat e kontrolluara (3) kanë rezultuar të kenë ngjashmëri të ulët.

MLPlag

Në kontrollin MLPlag, nga 3 doktoraturat e kontrolluara, 1 ka rezultuar me ngjashmëri të lartë, 1 me ngjashmëri mesatare dhe 1 me ngjashmëri të ulët.

Fakulteti Juridik
ALPlag

Në kontrollin ALPlag nuk ka rezultuar asnjë doktoraturë të ketë ngjashmëri të lartë, ndërsa 50% (2 nga 4) kanë rezultuar me ngjashmëri mesatare dhe 50% (2 nga 4) e doktoraturave kanë rezultuar me ngjashmëri të ulët.

MLPlag

Në kontrollim MLPlag rezultatet janë të njëjta si në kontrollin ALPlag ku 50% (2 nga 4) kanë rezultuar me ngjashmëri mesatare dhe 50% (2 nga 4) kanë rezultuar me ngjashmëri të ulët.

Fakulteti i Inxhinierisë Elektrike dhe Kompjuterike
ALPlag

Në kontrollin ALPlag, nuk ka rezultuar asnjë doktoraturë me ngjashmëri të lartë, 14% (1 nga 7) e doktoraturave kanë rezultuar me ngjashmëri mesatare dhe 86% (6 nga 7) e doktoraturave kanë rezultuar me ngjashmëri të ulët.

MLPlag

Në kontrollim MLPlag, nuk ka rezultuar asnjë doktoraturë me ngjashmëri të lartë, ndërsa 100% (7) e doktoraturave të kontrolluara kanë rezultuar me ngjashmëri mesatare.

Fakulteti Filozofik
ALPlag

Në kontrollin ALPlag të doktoraturave nga Fakulteti Filozofik nuk është raportuar asnjë doktoraturë me ngjashmëri të lartë, ndërsa 100% (2) doktoratura në kontrollin ALPlag kanë rezultuar me ngjashmëri mesatare.

MLPlag

Në kontrollin MLPlag, asnjë doktoraturë nuk është raportuar me ngjashmëri të lartë ndërsa 50% (1) ka rezultuar me ngjashmëri mesatare, dhe 50% (1) ka rezultuar me ngjashmëri të ulët.

Universitete tjera
ALPlag

Në kontrollin ALPlag, 30% (3 nga 10) e doktoraturave të kontrolluara kanë rezultuar me ngjashmëri të lartë, 30% (3 nga 10) kanë rezultuar me ngjashmëri mesatare, dhe 40% (4 nga 10) kanë rezultuar me ngjashmëri të ulët.

MLPlag

Në kontrollin MLPlag, asnjë nga këto doktoratura nuk ka rezultuar me ngjashmëri të lartë, ndërsa 60% (6 nga 10) e këtyre doktoraturave kanë rezultuar me ngjashmëri mesatare, dhe 40% (4 nga 10) kanë rezultuar me ngjashmëri të ulët.

Përmbledhje

Në nivel të stafit akademik kemi kontrolluar gjithsej 37 doktoratura të publikuara nga Universiteti i Prishtinës dhe Universitetet tjera jashtë vendit prej të cilave 16% (6 nga 37) kanë rezultuar të kenë ngjashmëri të lartë, 62% (23 nga 37) me ngjashmëri mesatare, dhe 22% (8 nga 37) kanë rezultuar me ngjashmëri të ulët në njërin nga llojet e kontrollit; ALPlag ose MLPlag.

Republika e Shqipërisë

Universiteti i Tiranës – Doktoraturat (2020 – 2021)

Para se t’ju prezantojmë të dhënat rreth hulumtimit të bazuar në doktoraturat e Universitetit të Tiranës është me rëndësi të theksojmë faktin që Universiteti i Tiranës ka pasur mundësinë të ofrojë qasje për të gjithë profesorët të kryejnë kontrollet antiplagjiaturë. Këtë mundësi Universiteti i Tiranës nuk e ka shfrytëzuar gjatë vitit 2020 dhe muajve të parë të vitit 2021, periudhë në të cilën ka qenë në dispozicion sistemi antiplagjiaturë për të gjitha IAL-të publike në Shqipëri. Vlenë të theksohet po ashtu se kemi pranuar kërkesa të shumta nga kandidatët e doktoraturës në Universitetin e Tiranës për ta bërë kontrollin individualisht në mënyrë që të ju pranohet punimi i tyre në Universitet. Kjo qasje ka qenë e gabuar nga Universiteti i Tiranës pasiqë kandidatët e doktoraturës nuk do të duhej të obligoheshin të kryejnë kontrollin për punimin e tyre por kjo do të duhej të ishte proces i bashkëpunimit mes kandidatëve dhe mentorëve të tyre.

Rrjedhimisht, ne kemi kontrolluar një numër të vogël të doktoraturave të aprovuara nga Universiteti i Tiranës dhe të publikuara në periudhën Janar 2020 – Mars 2021. Arsyeja e përzgjedhjes së kësaj periudhe është se në këtë kohë UT ka pas qasje të kontrollojë këto doktoratura dhe ky kontrollë nuk është bërë ndërsa autorët e këtyre punimeve kanë përdorur sisteme jo adekuate për të siguruar certifikata të tilla përmes së cilave kanë arritur të fitojnë titullin PhD. Rezultatet e kontrollimit të këtyre doktoraturave u janë dërguar të gjithë zyrtarëve shtetëror të përfshirë në këtë proces para se ato t’i bëjmë publike.

Gjatë periudhës Janar 2020 – Mars 2021, janë publikuar 106 doktoratura, prej të cilave ne kemi kontrolluar 43 apo rreth 41% të doktoraturave të publikuara në këtë periudhë. Doktoraturat e kontrolluara janë nga 6 fakultetet e ndryshme:

      • Fakulteti Ekonomik – 14
      • Fakulteti i Gjuhëve të Huaja – 4
      • Fakulteti Juridik – 9
      • Fakulteti i Shkencave të Natyrore – 7
      • Fakulteti i Shkencave Sociale – 3
      • Fakulteti Filologjik dhe Histori – 6

Rezultatet sipas llojit të kontrollit

Në kontrollin e 43 doktoraturave krahas ngjashmërive me literaturën në gjuhën shqipe, niveli më i lartë i raportuar është 44.04% ndërsa në kontrollimin ndërgjuhësor shqip-anglisht, niveli më i lartë i raportuar për ngjashmëri është 33.70%. Vlen të theksohet, se 7 nga 43 doktoraturat e kontrolluara kanë raportuar ngjashmëri mbi 5% nga një burim i vetëm.

ALPlag

Nga doktoraturat e kontrolluara krahas literaturës në gjuhën shqipe kanë rezultuar 9% (4 nga 43) doktoratura që përmbajnë ngjashmëri të lartë, 60% (26 nga 43) doktoratura që përmbajnë ngjashmëri mesatare, dhe 30% (13 nga 43) të doktoraturave që përmbajnë ngjashmëri të ulët.

MLPlag

Secila prej 43 doktoraturave është kontrolluar edhe për ngjashmëri ndërgjuhësore nga gjuha shqipe në gjuhën angleze. Nga ky kontroll 21% (9 nga 43) e doktoraturave kanë rezultuar të përmbajnë ngjashmëri të lartë, 67% (29 nga 43) kanë rezultuar të përmbajnë ngjashmëri mesatare, dhe 12% (5 nga 43) e doktoraturave kanë rezultuar të përmbajnë ngjashmëri të ulët.

Rezultatet sipas fakulteteve

Fakulteti Ekonomik
ALPlag

Në kontrollin ALPlag, asnjë doktoraturë nga Fakulteti Ekonomik nuk ka rezultuar të ketë ngjashmëri të lartë, 79% (11 nga 14) e doktoraturave kanë rezultuar me ngjashmëri mesatare, dhe 21% (3 nga 14) kanë rezultuar me ngjashmëri të ulët.

MLPlag

Në kontrollin MLPlag, 21% (3 nga 14) e doktoraturave kanë rezultuar me ngjashmëri të lartë, 79% (11 nga 14) kanë rezultuar të përmbajnë ngjashmëri mesatare, dhe asnjë nga këto doktoratura nuk kanë rezultuar me ngjashmëri të ulët.

Fakuteti i Gjuhëve të Huaja
ALPlag

Në kontrollin ALPlag, asnjë nga 4 doktoraturat e kontrolluara nuk ka rezultuar të përmbajë ngjashmëri të lartë, 75% (3 nga 4) kanë rezultuar të përmbajnë ngjashmëri mesatare, dhe 25% (1 nga 4) ka rezultuar të përmbajë ngjashmëri të ulët.

MLPlag

Në kontrollin MLPlag, 25% (1 nga 4) kanë rezultuar të përmbajnë ngjashmëri të lartë, 25% (1 nga 4) ka rezultuar të përmbajë ngjashmëri mesatare, dhe 50% (2 nga 4) e doktoraturave nga ky fakultet kanë rezultuar të përmbajnë ngjashmëri të ulët.

Fakulteti Juridik
ALPlag

Në kontrollin ALPlag, 44% (4 nga 9) e doktoraturave kanë rezultuar të përmbajnë ngjashmëri të lartë, 44% (4 nga 9) kanë rezultuar të përmbajnë ngjashmëri të lartë dhe 11% (1 nga 9) kanë rezultuar të përmbajnë ngjashmëri të ulët.

MLPlag

Në kontrollin MLPlag, 11% (1 nga 9) kanë rezultuar të përmbajnë ngjashmëri të lartë, 78% (7 nga 9) kanë rezultuar të përmbajnë ngjashmëri mesatare dhe 11% (1 nga 9) kanë rezultuar të përmbajnë ngjashmëri të ulët.

Fakulteti i Shkencave Natyrore
ALPlag

Në kontrollin ALPlag, asnjë nga doktoraturat e fakultetit të shkencave natyrore nuk ka rezultuar të përmbajë ngjashmëri të lartë, ndërsa 14% (1 nga 6) e doktoraturave ka rezultuar të përmbajë ngjashmëri mesatare, dhe 86% (6 nga 7) e doktoraturave kanë rezultuar të përmbajnë ngjashmëri të ulët.

MLPlag

Në kontrollin MLPlag, 57% (4 nga 7) e doktoraturave kanë rezultuar të përmbajnë ngjashmëri të lartë, 43% (3 nga 7) e doktoraturave kanë rezultuar të përmbajnë ngjashmëri mesatare, dhe asnjë nga doktoraturat e fakultetit të shencave natyrore nuk ka rezultuar të përmbajë ngjashmëri të ulët.

Fakulteti i Shkencave Sociale
ALPlag

Në kontrollin ALPlag, asnjë nga doktoraturat e Fakultetit të Shkencave Sociale nuk ka rezultuar të përmbajë ngjashmëri të lartë, 67% (2 nga 3) e doktoraturave kanë rezultuar me ngjashmëri mesatare, dhe 33% (1 nga 3) e doktoratura kanë rezultuar me ngjashmëri të ulët.

MLPlag

Në kontrollin MLPlag, asnjë nga doktoraturat e kontrolluar nga ky fakultet nuk ka rezultuar të përmbajë ngjashmëri të lartë apo të ulët, 100% (3 nga 3) e doktoraturave kanë rezultuar të përmbajnë ngjashmëri mesatare.

Fakulteti Filologjik dhe i Historisë
ALPlag

Në kontrollin ALPlag, asnjë nga doktoraturat e kontrolluara nga ky fakultet nuk ka rezultuar të përmbajë ngjashmëri të lartë, 83% (5 nga 6) kanë rezultuar të përmbajnë ngjashmëri mesatare, dhe 17% (1 nga 6) kanë rezultuar të përmbajnë ngjashmëri të ulët.

MLPlag

Në kontrollin MLPlag, asnjë nga doktoraturat e kontrolluara nga ky fakultet nuk ka rezultuar me ngjashmëri të lartë, 67% (4 nga 6) kanë rezultuar të përmbajnë ngjashmëri mesatare dhe 33% (2 nga 6) kanë rezultuar të përmbajnë ngjashmëri të ulët.

Përmbledhje

Rezultatet e kontrollimit të 43 nga 106 doktoraturave të publikuara nga Universiteti i Tiranës në periudhën Janar 2020 – Mars 2021 tregojnë se vetëm 2 doktoratura nga 43 gjithsejtë sa janë kontrolluar kanë rezultuar me ngjashmëri të ulët si në kontrollin ALPlag dhe MLPlag. Rrjedhimisht, kjo nënkupton se 95% e doktoraturave të tjera (41 nga 43) gjatë kontrollit kanë rezultuar me ngjashmëri mesatare dhe të lartë në të paktën njërin lloj të kontrollit, ALPlag apo MLPlag. Një nivel i tillë i ngjashmërisë është indikacion i qartë që mundësia që doktoratura me plagjiaturë të jenë aprovuar nga Universiteti i Tiranës është jashtëzakonisht i lartë.

Artikuj shkencorë me autorë nga Kosova dhe Shqipëria

Përveç kontrollimit të punimeve të diplomës dhe doktoraturave të publikuara nga Universiteti i Prishtinës dhe Universiteti i Tiranës, ne kemi marrë iniciativën të kontrollojmë edhe 21 punime shkencore me autorë të ndryshëm nga Kosova dhe Shqipëria për të ofruar informacione edhe rreth nivelit të plagjiaturës në publikime dhe artikuj shkencor.

Artikujt shkencor janë përzgjedhur në formë të rastësishme dhe janë marrë nga faqe të ndryshme të universiteteve, revistave dhe burimeve tjera të ngjashme që autorë të ndryshëm shqiptar nga Kosova dhe Shqipëria publikojnë. Vlen të theksohet se 44 autorë nga Kosova dhe Shqipëria janë pjesë e këtyre artikujve.

Shumica e artikujve të përzgjedhur, 16 nga 21, janë shkruar në gjuhën angleze dhe vetëm 5 nga 21 artikujt e përzgjedhur janë shkruar në gjuhën shqipe. Rrjedhimisht ne kemi përdorur 3 lloje të kontrollit:

      • Anglisht – Shqip – 7
      • Shqip – Anglisht – 5
      • Anglisht (pa përkthime) – 9

Rezultatet më të larta të regjistruara në kontrollin anglisht – shqip arrijnë në nivelin e ngjashmërisë prej 90.28%, shqip – anglisht në nivelin 29.94% dhe në kontrollin krahas literaturës në gjuhën angleze pa përkthyer përmbajtjen në nivelin e ngjashmërisë prej 59.90%. Gjithashtu, 12 nga 21 artikujt e kontrolluar kanë rezultuar të përmbajnë ngjashmëri të nivelit mbi 5% nga një burim i vetëm.

Anglisht – Shqip

Rezultatet e kontrollimit të 7 artikujve të shkruar në gjuhën angleze të cilët janë kontrolluar me ngjashmëri me literaturën në gjuhën angleze dhe gjuhën shqipe tregojnë se 57% (4 nga 7) e artikujve të kontrolluar kanë rezultuar me ngjashmëri të lartë, 43% (3 nga 7) kanë rezultuar me ngjashmëri mesatare, ndërsa asnjëri nga këta 7 artikuj nuk ka rezultuar me ngjashmëri të ulët.

Shqip – Anglisht

Rezultatet e kontrollimit të 5 artikujve të shkruar në gjuhën shqipe dhe të kontrolluar krahas literaturës në gjuhën shqipe dhe atë në gjuhën angleze tregojnë se 40% (2 nga 5) e artikujve të kontrolluar kanë rezultuar të përmbajnë ngjashmëri të lartë, 60% (3 nga 5) kanë rezultuar të përmbajnë ngjashmëri mesatare, dhe sërish asnjëri nga këta 5 artikuj nuk ka rezultuar me ngjashmëri të ulët.

Anglisht (pa përkthime)

Rezultatet e kontrollimit të 9 artikujve krahas literaturës në gjuhën angleze tregojnë se 44% (4 nga 9) e artikujve përmbajnë ngjashmëri të lartë, 22% (2 nga 9) përmbajnë ngjashmëri mesatare, dhe 33% (3 nga 9) përmbajnë ngjashmëri të ulët.

Përmbledhje

Duke qenë se 21 artikujt e përzgjedhur janë kontrolluar në forma të ndryshme është me rëndësi të ju përmbledhim rezultatet përfundimtare në cilat kategori janë klasifikuar këto punime. Rrjedhimisht, 48% (10 nga 21) e këtyre artikujve kanë rezultuar të përmbajnë ngjashmëri të lartë, 38% (8 prej 21) kanë rezultuar të përmbajnë ngjashmëri mesatare, dhe 14% (3 nga 21) kanë rezultuar të përmbajnë ngjashmëri të ulët. Rezultate të tilla ku vetëm 3 nga 21 artikujt shkencor janë klasifikuar si dokumente me ngjashmëri të ulët janë alarmante për shoqërinë tonë pasiqë duke publikuar artikuj shkencor, stafi akademik i universiteteve plotëson një kusht tejet të rëndësishëm për avancim akademik.

Lista e personave të denoncuar për plagjiaturë (Kosovë, Shqipëri dhe Maqedoni e Veriut)

Përtej hulumtimit dhe kontrollimit që ne kemi bërë të punimeve të diplomës, doktoraturave dhe artikujve shkencorë në Kosovë dhe Shqipëri, kemi zgjedhur që të publikojmë të gjitha rastet e denoncuara nga shoqëria civile dhe hulumtues të ndryshëm. Më poshtë mund të shihni tabelën ku janë paraqitur të gjitha rastet që ne jemi në dijeni të jenë publikuar dhe ju kemi vendosur burimin ku mund të shihni më detajisht për secilin rast se si është raportuar. Vlen të theksohet se ne nuk kemi bërë asnjë vlerësim mbi gjykimin se a janë apo nuk janë plagjiaturë si në rastin e hulumtimit tonë ashtu edhe në rastet e publikuara nga shoqëria civile dhe hulumtues të tjerë sepse ne besojmë që vlerësimin nëse një punim diplome, doktoraturë apo artikull shkencor është plagjiaturë apo jo, duhet ta bëj universiteti dhe institucionet e ngjashme relevante.

Përfundimet

Në këtë shkrim, jemi munduar ta paraqesim një pasqyrë të përgjithshme rreth nivelit të plagjiaturës në hapësirat shqipfolëse me fokus në Kosovë dhe Shqipëri. Si bazë të hulumtimit, për t’i prezantuar më pas edhe të dhënat rreth nivelit të plagjiaturës në Kosovë, kemi përzgjedhur 322 punime të diplomës nga nivelet Bachelor, Master dhe Doktoraturë. Nga kontrollimi i bërë kemi mbërri në përfundimin që 75% e këtyre punimeve të diplomës që janë aprovuar nga Universiteti i Prishtinës përmbajnë ngjashmëri të cilat mund të konsiderohen plagjiaturë. Përveç punimeve të studentëve ne kemi kontrolluar edhe Doktoraturat e stafit akademik të publikuara në faqen zyrtare të Universitetit të Prishtinës dhe në Universitete tjera jashtë vendit ku nga gjithsej 37 Doktoratura të përzgjedhura kemi mbërri në përfundimin se 84% e tyre përmbajnë ngjashmëri të cilat mund të konsiderohen plagjiaturë.

Në anën tjetër, edhe pse kemi ne kemi qenë të kontraktuar për të vënë në shërbim sistemin antiplagjiaturë për të gjitha IAL-të publike në Republikën e Shqipërisë, disa prej tyre kanë zgjedhur të mos e përdorin fare sistemin antiplagjiaturë. Rrjedhimisht, kemi përzgjedhur të kontrollojmë 43 Doktoratura të publikuara gjatë periudhës Janar 2020 – Mars 2021 nga Universiteti i Tiranës – si njëri prej IAL-ve që nuk ka përdorur sistemin antiplagjiaturë për verifikimin e këtyre Doktoraturave. Nga kontrollimi i 43 Doktoraturave kemi mbërri në përfundimin që 95% e tyre përmbajnë ngjashmëri të cilat mund të konsiderohen plagjiaturë.

Për të pasur një ide më të qartë rreth integritetit akademik në hapësirat shqipfolëse kemi zgjedhur t’i kontrollojmë edhe 21 punime shkencore me autorë nga Kosova dhe Shqipëria, që kanë shërbyer për ngritjen e këtyre autorëve në karrierë përbrenda nivelit akademik. Nga kontrollimi i bërë, kemi mbërri në përfundimin që 86% e këtyre punimeve shkencore përmbajnë ngjashmëri që mund të konsiderohen plagjiaturë.

Ne nuk jemi të parët dhe shpresojmë të mos jemi as të fundit që ngremë dyshime mbi nivelet alarmante të plagjiaturës në hapësirat shqipfolëse. Raste të plagjiaturës janë raportuar edhe nga shoqëria civile dhe individ të ndryshëm si Admovere, Orca, Taulant Muka, Vladimir Kola dhe së fundmi nga NIRCAU. Të gjitha këto raste kemi zgjedhur t’i grumbullojmë dhe prezantojmë në këtë shkrim si dëshmi për t’ua kujtuar faktin që për një shumicë dërrmuese (me disa përjashtime tejet të rralla) nuk është marrë asnjë masë disiplinore apo revokim titulli.

Bazuar në kontrollimin e 422 punimeve të diplomës, Doktoraturave dhe publikimeve shkencore, mund të themi me siguri të lartë që niveli i plagjiaturës në hapësirat shqipfolëse është në nivele alarmante dhe kërkon si qasje ashtu edhe trajtim serioz.

Rekomandimet

Rekomandimet që ne kemi zgjedhur t’i prezantojmë janë përmbledhje e rekomandimeve të ofruara nga ekipi i projektit “South East European Project on Policies for Academic Integrity (SEEPPAI)” të publikuar në vitin 2017. Ky projekt ka hulumtuar dhe analizuar politikat dhe procedurat në lidhje me integritetin akademik nga 6 shtetet e Evropës Juglindore, me përjashtim Kosovën. Rekomandimet e publikuara në këtë raport për të gjithë rajonin janë përkthyer, përshtatur dhe prezantuar më poshtë. Raportin e plotë mund ta gjeni këtu.

      • Rekomandime për qeveritë nacionale dhe agjencitë e akreditimit

    1. Qeveritë përmes ministrisë dhe agjencisë së akreditimit duhet të jenë të angazhuara në formë proaktive në monitorimin dhe udhëzimin e IAL-ve, në forcimin e politikave dhe procedurave të lidhura me integritetin akademik.

    2. Qeveritë nacionale t’i shqyrtojnë mundësitë e bashkëpunimit me kompanitë që ofrojnë sisteme antiplagjiaturë dhe të negociojnë një ofertë të përballueshme që vihet në dispozicion të të gjitha IAL-ve.

    3. Agjencia e akreditimit duhet fuqizuar në monitorimin e cilësisë në arsim dhe integritetit akademik nëpër institucionet publike dhe private të arsimit të lartë.

    4. Incentiva në formë të granteve për hulumtim dhe zhvillim të politikave, strategjive dhe procedurave që kontribuojnë në përmirësimin e integritetit akademik nga shoqëria civile dhe ekspertë të fushës.

        • Rekomandime për institucionet

      1. Rishikimi i politikave dhe praktikave me fokus të veçantë në themelimin e grupeve punuese që koordinojnë zhvillimin dhe implementimin e strategjive, politikave dhe sistemeve në lidhje me integritetin akademik.

      2. Zhvillimi i standardeve sanksionuese për trajtimin e rasteve të plagjiaturës, kopjimeve në provime, blerjen/kontraktimin e punimeve dhe formave tjera të pandershmërisë akademike.

      3. Ofrimi i trajnimeve për stafin akademik në mënyrë që ata të jenë të informuar dhe edukuar në çështje që lidhen me ndershmërinë dhe integritetit, shkrimin akademik, si dhe përdorimin e materialeve ndihmuese në ligjërimet e tyre për studentët – kjo rekomandohet të bëhet sa më herët të jetë e mundshme.

      4. Informimi i vazhdueshëm i stafit dhe studentëve mbi çështje që lidhen me integritetin dhe ndershmërinë akademike.

      5. Në aspektin pedagogjik, institucionet duhet t’i fuqizojnë praktikat e mira të cilat ndihmojnë vlerësimin e mendimit kritik, dhe ato që ndihmojnë në krijimin e një mjedisi ku mësimdhënia, të mësuarit dhe vlerësimi ofrojnë ndjenjë shpërblyese dhe frymëzuese.

          • Rekomandime për individët (stafin akademik)

        1. Stafi akademik duhet të marrë përgjegjësinë për sjelljen e tij/saj si model për gjeneratat e ardhshme të profesionistëve. Ata duhet t’i përkushtohen integritetit: drejtësisë, qëndrueshmërisë, ndershmërisë, transparencës, si në jetën e tyre profesionale ashtu edhe në atë private.

        2. Stafi akademik duhet të sigurohet se të gjithë studentët janë të njoftuar me vlerat dhe rëndësinë e mësimit, dhe t’i motivojnë ata drejt rezultateve maksimale në jetën e tyre.

        3. Zhvillimi i vazhdueshëm profesional duhet të jetë obligim për stafin akademik në mënyrë që ata të jenë të pajisur me njohuritë e përditësuara në fushën e tyre.

        4. Stafi akademik duhet të sigurojë që rastet e pandershmërisë akademike të trajtohen sipas politikave, procedurave dhe standardeve institucionale pa diskriminim dhe për të gjithë studentët njëjtë.

Referencat

Burimet e denoncimeve në rrjetin social Facebook